Reforma territoriale, Basha: Qeveria i ka marrë pushtetit vendor çdo instrument

Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me ekspertë për Reformën Territoriale.

Lulzim Basha u shpreh se kjo është tryeza e parë e cila do t'i paraprijë dhe tryezave të tjera, dhe turi i PD-së nuk do ketë në fokus vetëm konsultimet nëpër tryeza, por edhe konsultimet me qytetarët.

Basha: Ne shpresojmë që kjo të ndodhë jo vetëm nëpërmjet instrumenteve të PD-së si prijësja e procesit të një reforme të re territoriale administrative të vetëqeverisjes vendore, por të jetë një proces kombëtar. Nuk kemi arritur aksidentalisht këtu, për fat të keq ky është nga ato raste që mund të quhet një kronikë e paralajmëruar, e një dështimi të paralajmëruar i cili sot rëndon mbi shpinat e qytetarëve.

Pse jemi këtu? Nuk jemi aksidentalisht. Nëse shteti është kontrata e individëve për të ruajtur jetën, sigurinë, rendin publik, shëndetin, arsimin etj, pushteti vendor është ai që i jep formë shumicës së këtyre detyrimeve të shtetit. Pse? Sepse normalisht shërbimi bëhet më mirë kur është më afër qytetarit. Nuk e kemi shpikur ne, është një koncept i lashtë. Çdo gjë që kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk e merr përsipër në raport me qytetarët është përgjegjësi e pushtetit vendor.  Por nuk i jep pushtetit vendor asnjë vegël, asnjë instrument, madje i ka marrë dhe ato instrumente të cilat ekzistonin.

Gjatë fjalës së tij, Basha nuk harroi të ndalej sërish te incineratorët. Sipas tij, strategjia e mbetjeve urbane e hartuar nga Banka Botërore në bashkëpunim ne qeverisë federale gjermane ishin 12 landfille të shpërndara anembanë Shqipërisë.

Basha: Çfarë ndodhi? Ku jemi sot? Në një sallë tjetër po zhvillohet seanca e dytë për këtë javë e komisionit për incineratorin. Përgjigjja është e qartë. U hodh poshtë një strategji e ndërtuar nga ekspertët më të mirë për një arsye. Arsyen e keni të qartë. Që të ndërtohej një skemë, për 3 pseudo incineratorë, 2 prej të cilëve nuk ekzistojnë fare, të paguar me taksat e shqiptarëve të cilët nuk kryejnë asnjë funksion përveç vjedhjes së këtyre taksave. Skemë e pastër kriminale për të zhvatur paratë e qytetarëve. Paguajmë tha këshilltari socialist dhe nuk marrim shërbimin. 430 milion euro kanë paguar shqiptarët për shërbime që nuk i marrin. Gjithçka u përqendrua në një dorë të vetme.

Basha tha se pushteti më i mirë është pushteti pranë qytetarit sepse kështu qytetari paguan, pro i merr shërbimet për të cilat ka paguar.