Dëshmia e gazetarit investigativ Artan Rama për incineratorët “frikëson” mazhorancën
Ka qenë dëshmia e gazetarit investigativ Artan Rama, ai i cili ka botuar disa shkrime lidhur me aferën e incineratorëve që ka shkaktuar debate mes opozitës dhe mazhorancës në komision.
Nga ana e PS-së është pretenduar se gazetari Rama nuk mund të dëshmojë pasi ka konflikt interesi dhe se është i kallëzuar për shpifje.
Këtu ka ndërhyrë kryetarja e komisionit Hetimor, Jorida Tabaku, duke thënë se nuk shpifja nuk është vepër penale.
Vetë Rama tha se procesi nuk ka filluar në gjykatë dhe se në gazetarisë investigative, ndonjëherë këto padi tregojnë shkallën e suksesit, pasi kompanitë kërkojnë të rivendosin autoritetin e humbur.
Kujtojmë se Rama është thirrur nga opozita pas shkrimeve që ai ka bërë për inceneratorët dhe për të cilat është paditur për shpifje nga kompania e incineratorit të Elbasanit.
Pjesë nga debatet:
Artan Rama: Unë kam bërë disa shkrime në lidhje me inceneratorët dhe me kompanitë që kanë marrë përsipër ndërtimin e tyre. Një prej këtyre shkrimeve është objekt i një padie civile në gjykatë. Ende nuk ka filluar si proces. Është në fazën paraprake. Lidhur me të njëjtën nevojë, mund të them diçka që, në lidhje me profesionin që unë ushtroj, gazetarinë Investigative, paditë civile, lidhur me dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohet kompanive është diçka normale, e mundshme. Madje në deontologjinë tonë të gazetarisë investigative, ndonjëherë këto padi tregojnë shkallën e suksesit. Në përgjithësi kompanitë kërkojnë të rivendosin atë që ato e quajnë, autoritet të humbur. Unë gjykoj, unë kam patur padi të tjera të cilat i kam fituar, për shkak të punës që unë bëj. Unë mendoj se reputacioni është diçka që iu takon si njerëzve dhe kompanive por është diçka që nuk fitohet në gjykatë por duhet fituar.
Shalsi: Kolegët e mi shtruan problemin e një konflikti civile, ku a mund të pyetet një individ i nderuar i cili ndodhen në një konflikt civil për të cilin do të shprehet gjykata? Kjo është ajo që po pyesim.
Deputetit të Partisë Socialiste, Besian Ajazi po ashtu ka hedhur akuza ndaj Tabakut për moszbatimin e rregullores dhe kodit të procedurës penale në komision.
Ajazi: Zonja kryetare besoj se dhe nga përgjigjja e zotit Rama, Artani është në papajtueshmëri me statusin e dëshmitarit, neni 156 germa ç, që kështu nuk është e udhës të vazhdojmë në shkelje të ligjit. U bë e disata herë që unë personalisht, por dhe kolegë të tjerë të maxhorancës, jemi ndjerë në një drejtimin tuaj të komisionit jo ligjor, jo në bazë të rregullores dhe mos na detyroni të shkojmë në ato hullira që të kërkojmë shkarkimin tuaj si kryetare, pasi jeni në shkelje të ligjit, në shkelje të rregullores dhe në shkelje të kodit të procedurës penale.
Tabaku: Zoti Ajazi për sa kohë ne jemi duke hetuar një aferë korruptive, që është shkelur ligji me të katërta këmbët dhe ju po flisni dhe po mbroni kriminel në kërkim, frikë s’duhet të kem unë frikë duhet të kenë ata që mbrojnë kriminelët.

