Alarm nga gjakmarrjet, Softa: Informacioni për familjet në hasmëri, parandalues. Policia e Pushteti lokal s'kanë të dhëna

Fenomeni i gjakmarrjes po kthehet në një problem për rendin publik pas dy vrasjeve brenda pak ditësh në Lezhë dhe në Shkodër. Ish-drejtues të policisë thonë se pushteti vendor dhe strukturat e rendit nuk kanë informacion për familjet në hasmëri ndërkohë mungojnë edhe kontrollet në banesa për armë pa leje, çka mund ti parandalonte këto ngjarje. Psikologët nga ana tjetër thonë se presioni i familjes dhe shoqërisë po i nxit të rinjtë për tu hakmarrë.

Vrasja e Prek Tonajt në Shkodër ishte e fundit e një seriali ekzekutimesh për hakmarrje që kanë ndodhur kohët e fundit në vend.

Pak javë më parë një 17-vjeçar nga Lezha kreu një tjetër vrasje për hakmarrje.

Sipas ish-drejtuesit të policisë Fatjon Softa pushteti lokal dhe policia nuk kanë një databazë të përditësuar të personave, të cilët janë në hasmëri, çka do të ndihmonte në parandalimin e këtyre ngjarjeve.

"Duhet të ketë institucione, janë ngritur ato që quhen Këshillat vendore të qeverisjes publike, të cilat janë në 61 bashki. Të gjitha këto Këshilla nuk janë shumë efektive dhe nuk funksionojnë sepse në krye të tyre është vendosur kryetari i bashkisë. Por kryetari i bashkisë, kur në përbërje të tyre është drejtuesi i policisë, drejtuesi i Prokurorisë, Gjykatat, besimet fetare, kur janë dhe disa institucione të kësaj natyre," tha Softa.

Në kuadër të parandalimit, Policia duhet të kryejë më shumë kontrolle me qëllim kapjen e armëve të zjarrit.

"Armët gjendjen lehtë dhe aq më tepër edhe kjo moshë që shkon dhe e gjen. Po të kërkosh armë, kushdo që ka ndërmend të bëjë një krim e gjen. Aq më tepër që armën e gjen," tha Softa.

Psikologia, Marsela Lekli, thotë së në shumicën e rasteve personat që kryejë këto vepra penale rriten me frymën e hakmarrjes si nga familja por edhe nga shoqëria.

"Pikë së pari normalisht që kultura dhe emancipimi i një fëmijë në një moshë tepër të vogël, si personi në fjalë që ka qenë 4 vjeç dhe është njohur me faktin që babi është vrarë për hakmarrje, është rritur me frymën e hakmarrjes që në vogëlsinë e tij. Dhe shoqëria me komunitetin kanë rolin e tyre kryesor," tha Lekli.

Sipas psikologes, institucionet duhet të kenë një vëmendje më të shtuar ndaj këtyre rasteve.

"Personi që arriti të kryejë këtë akt nuk ka qenë person problematik ose ka tentuar më parë dhe mund të kemi disa pista për parandalim. Këto janë raste, si ai i Lezhës që nuk pritej nga askush, ai ka pasur qetësinë e duhur me një gjakftohtësi të fortë deri sa arriti e bëri këtë akt. Personat që arrijnë të kryejnë një akt të tillë, qoftë për hakmarrje janë persona tepër të ftohtë," tha Lekli.

Fenomeni i gjakmarrjes mbetet ende një plagë e hapur në vendin tonë, ndërsa më problematike është gjendja e dhjetëra familjeve të ngujuara nga ky fenomen.