Tregjet financiare ruse rriten ndjeshëm pas lajmit se Moska largoi disa trupa ushtarakë nga kufiri me Ukrainën

Tregjet financiare ruse u rritën fuqishëm sot, menjëherë pas njoftimit se Rusia tërhoqi disa nga trupat ushtarakë nga kufiri ukrainas.

Aksionet ruse të cilat janë goditur nga frika e konfliktit të mundshëm me Ukrainën, u rritën ndjeshëm pasi Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se disa njësi në rrethet ushtarake pranë Ukrainës po ktheheshin në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve, shkruan Reuters.

Megjithatë  nuk dihet ende se sa trupa janë duke u larguar edhe nëse ky vendim do të ulë tensionet.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se 130,000 ushtarë gjenden afër kufirit me Ukrainën.

Më 14 shkurt, Rusia e ka lënë derën e hapur për më shumë diskutime me qëllim të zgjidhjes së krizës.

Gjatë një takimi televiziv me presidentin rus, Vladimir Putin, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se “gjithmonë ka mundësi” për të arritur marrëveshje me Perëndimin për Ukrainën.