"U informuam për ditën", presidenti ukrainas: Rusia do sulmojë të mërkurën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi të hënën, 14 shkurt duke ju referuar raporteve se një pushtim rus i vendit të tij mund të fillojë brenda 48 orëve, të mërkurën.

Komentet e liderit ukrainas, duke ju drejtuar kombit të tij, të postuara në Facebook, vijnë në mes të tensioneve të rritura midis Kievit dhe Moskës. Administrata e Biden kishte paralajmëruar të premten se një sulm ndaj Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm.

Zelensky shkroi në deklaratën në Facebook se dekreti për shpalljen e një dite uniteti ishte nënshkruar tashmë.

“Na thuhet se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit”, tha ai, sipas një përkthimi në Facebook të komenteve të tij.

Associated Press, duke cituar inteligjencën e SHBA, raportoi se Rusia po shikonte të mërkurën, 16 shkurt si datën e synuar për një sulm. Zyrtarët amerikanë të dielën, megjithatë, thanë se nuk ishin në gjendje të konfirmonin raportet në lidhje me afatin kohor.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Grumbullimi i trupave kishte ngritur shqetësime mes SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s se Rusia po planifikon një inkursion ushtarak, por Moska vazhdimisht ka mohuar të ketë ndonjë plan të tillë.

Zyrtarët nga Ukraina, Rusia dhe vendet e NATO-s janë përfshirë në diskutime diplomatike për javë të tëra me shpresën për të lehtësuar tensionet në rajon, por bisedat nuk sollën ndonjë përparim.

Presidenti Biden foli me presidentin rus Vladimir Putin të shtunën dhe tha se "kosto të shpejta dhe të rënda" do të pasonin nëse Moska pushton Ukrainën, shkruan NY Post. 

Menjëherë pasi Zelensky postoi deklaratën e tij, Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi se SHBA-ja ishte “në proces të zhvendosjes së përkohshme të operacioneve të Ambasadës” nga Kievi në Lviv “për shkak të përshpejtimit dramatik në grumbullimin e forcave ruse”.