Shehi: I kënaqur, duhej të ishim më të duruar. Ramadani: Imeri nuk është 18 vjeç!
Ndeshja në “Air Albania” konsolidoi Tiranën në krye të renditjes në Superiore teksa për trajnerin Shehi ekipi gaboi në disa momente por në fund ai tha se e çoi lojën aty ku donte.
“Kundërshtari ishte i vështirë se mbrohej me shumë forca afër portës së vet dhe duhet durim e të qarkullosh topin shpejt. E çuam ndeshjen aty ku e donim, pas golit gabuam duke i dhënë mundësi kundërshtarit. Më pëlqeu mentaliteti dhe kur kundërshtari ishte me 10 vetë duhej të ishim të duruar. Por, nuk e vumë rezultatin në diskutim dhe kjo më kënaq. Mungesat? Dihen vlerat e Hoxhallarit dhe Seferit që janë lojtarë kyç të formacionit, më pëlqen që skuadra nuk varet nga individët dhe kur mungon ndonjë, të tjerët bëjnë mirë. Është për t’u admiruar kjo pjesë. Devid është kryesor, por e ka të vështirë të gjejë hapësira kur kundërshtari mbyllet. Nuk duhet të luajmë për individë të veçantë, do të na ndihmojë shumë ai. E rëndësishme është që po ingranohet, por do kohë”, deklaroi trajneri bardheblu në fund të takimit.
Në kampin tjetër, Zekirija Ramadani pohoi se ekipi luftoi edhe për një pike teksa kritikoi Imerin për kartonin e kuq në fushë.
“E dinim se do e kishim shumë të vështirë të dilnim të pamposhtur ndaj Tiranës, por kishim një disiplinë taktike. Te goli pati merita edhe Xhixha, i cili është një super futbollist. Kartonin e kuq të Imerit, do ia falja vetëm nëse do të ishte 18 vjeç. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë rast, nuk mendoj se do të shkojë pa u ndëshkuar. Rivalët tanë, Dinamo, Kastrioti dhe Skënderbeu nuk arritën të marrin tre pike por jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por është tepër e vështirë të luash me 10 lojtarë kundër Tiranës. Të mos harrojmë që vijmë pas 120 minutave dhe eliminimit në Kupë. Tani na presin dy finale në dy javët e ardhshme”, tha në fjalën e tij trajneri i ekipit rrogozhinas./Ora News/.
