Memelli akuzon: Partizani luajti me 14 forca. Mehmeti mban me këmbë në tokë ekipin

Fitorja e Partizanit në Korçë nuk është se nuk ka krijuar polemika. Në njërën anë ishte Mehmeti që përgëzoi ekipin për karakterin e treguar e sidomos talentin Skuka ndërsa në Korçë trajneri i Skënderbeut u ankua për gjykimin.

“Dua të falenderoj futbollistët për karakterin dhe personalitetin në pjesën e dytë dhe tifozerinë që na mbështeti në transfertën e largët. Në pjesën e parë duhej të ishim më në ekuilibër, e pësuam nga gabimet tona golin. Nuk duhej të pësonim, por arritëm ta kthenim falë karakterit. Bëmë edhe një lojë dominante. Skuka? E sakrifikuam sot sepse ka pasur probleme pas një goditje në kavilje. Na i shpërbleu të gjithëve, duhet të qëndrojë me këmbë në tokë sepse ka shumë punë për të bërë. Europa edhe nëpërmjet kampionatit? Duhet të shikojmë javë pas jave, e rëndësishme është të kthehemi te kjo lojë. Duhet të jemi në ekuilibër sepse kampionati është i vështirë dhe kundërshtarët janë të paparashikueshëm”, u shpreh trajneri i të kuqve në reagimin e tij.

 

Nuk ishte i qetë Migen Memelli në krahun tjetër i cili u shpreh i pakënaqur për disa episode por kritikoi gjithashtu edhe Berishën që duhej të ishte treguar më altruist për të mbyllur ndeshjen.

“Ka disa momente në lojë që duhet të tregiohemi të kujdesshëm, eksperienca ka të bëjë sepse duhej të largonim topin nga erdhi më pas një këndore. Në futboll duhet të jesh zemërgjerë dhe Berisha duhej të pasonte te Mensah, por kusuret I merr trajneri dhe lojtarët dalin të larë. Kjo humbje rëndon tek unë i pari, por me shpresë besoj që mund të bëjmë edhe më mirë. Si mundet që arbitra me eksperiencë të mos japin faull, kur lojtari i Partizanit shkon në kontakt me portierin. Partizani luajti me 14 vetë, ndërsa ne me 11. Për ndërhyrjen ndaj portierit Rexhepi, VAR mund të ndërhynte dhe të shikohej me kujdes, pse duhet të ankohem çdo javë dhe të bëhem palaço. Nuk po kërkoj asgjë të madhe, të ndërhyjë VAR. Nëse jepej faulli, nuk vinte goli i Partizanit”, u shpreh Memelli i revoltuar në reagimin e tij./Ora News/.