Brdariç: Trajneri nuk është asnjëherë i kënaqur. Arapi ankohet për arbitrin
Fitorja ndaj Teutës me rezultatin 4-2 e kënaq Thomas Brdariç edhe pse në mënyrë të pjesshme apo me përqindje por ai tha se nëse ekipi do të shmangte golat e pësuar do të ishte në vend të parë sot në renditje.
“Përgjithësisht trajneri nuk është kurrë plotësisht i kënaqur. Sot isha 85% i kënaqur. Humbëm kontrollin e lojës vetëm në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, por jam i kënaqur. Golat e pësuar? Nëse gjërat do të kishin shkuar shumë mirë, besoj se do ishim në vend të parë, pasi jemi ekipi që kemi më shumë raste në kampionat. Teuta është ekipi kampion, nuk janë ekip i keq, ata shfrytëzuan rastet e tyre. Ishte një ndeshje solide, ndeshje e mirë nga ana jonë. Nuk duhet të na ulet rendimenti, duhet të fitojmë për t’i bërë presion ekipeve sipër nesh. Fitoret vijnë duke shënuar gola, por e përsëris: ka rëndësi të mos e ulim renditmentin tonë”, deklaroi Brdariç në fjalën e tij.
Në anën tjetër, Renato Arapi e pranon se ekipi është në ndërtim dhe ka probleme por nuk e la pa thumbuar arbitrin Jorgji ndërsa theksoi se objektiv i madh mbetet Kupa.
“Sot reaguam shumë mirë pas golave të pësuar, ky është ndryshimi me ndeshjen me Partizanin. Jam i kënaqur me pjesën e parë të ekipit. U munduam t’i përshtatemi kundërshtarit dhe vetes tonë. Jemi në një moment formatimi, tentuam të fusim djem të rinj. Shpresoj të rritemi. Në sulm bëmë mirë, por duhet kohë, edhe Vllaznia ka lojtarë që ta vështirësojnë lojën. Faulli ? Ky arbitri i shpik vetë këto rregulla. Mua nuk më duket faull, Lorenco Vila është përpara lojtarit të Vllaznisë, ka shtytje. Të përfundonte aksioni, më pas të ndërhynte VAR-i. Një nga objektivat tonë është edhe fitimi i Kupës. Normalisht nuk është e lehtë, kemi përballë tre ekipe në formë të mirë. Shpresoj të jemi përmirësuar deri atëherë”, u shpreh trajneri i Teutës./Ora News/.
