UEFA vendos të dhurojë bileta për finalen e Conference League në “Air Albania”

Për herë të parë Tirana dhe Shqipëria do të presë një finale prestigjoze europiane të futbollit ku më 25 Maj kryeqyteti shqiptar do të shndërrohet në qendër të tifozëve të sportit më të dashur.

Fatkeqësisht asnjë ekip shqiptar nuk luan në Conference League por gjithsesi dy ekipet finaliste do të marrin pritjen që meritojnë teksa UEFA ka menduar t’i shpërblejë.

Aleksander Ceferin, njoftoi sot se tifozët e skuadrave finaliste të kompeticioneve europiane do të marrin bileta falas nga UEFA dhe do të jetë një numër tepër i konsiderueshëm.

Sipas njoftimit dy ekipet finaliste që do të luajnë në Tiranë do të marrin nga 3 mijë bileta falas nga UEFA për t’ua shpërndarë tifozëve të tyre më besnikë, apo atyre që kanë abonime vjetore apo atyre që kanë ndjekur skuadrën në transferta.

Është një gjest bujar nga UEFA që do të ketë të njëjtën formulë edhe me finalistët e Europa League dhe të Champions League.

Kushti do të jetë që këto bileta të dhuruara nuk do t’u jepen sponsorëve, partnerëve të klubeve apo drejtuesve të klubit, pra vetëm tifozëve besnikë./Ora News/