Ndërhyrjet politike, inspektorët e UEFA-s nisin misionin në Tiranë për zgjedhjet në FSHF
Edhe pasi vizitës së Ceferin në Tiranë, UEFA do të vijojë të mbajë nën survejim situatën në Shqipëri në prag të zgjedhjeve për kreun e FSHF-së.
Ndërhyrjet politike dhe incidentet e fundit në proceset zgjedhore të shoqatave anëtare të FSHF-së krijuan një situate të paprecedentë që solli deri në Tiranë numrin 1 të UEFA-s, Ceferin i cili gjithashtu konfirmoi se do të ketë një mision nga institucioni që ai kryeson për të monitoruar në vijim situatën.
Misioni i paralajmëruar tashmë ka nisur dhe inspektorët e UEFA-s kanë mbërritur në Tiranë dhe përbëhet nga tre persona, Luca Nicola (Shef i qeverisjes së federatave anëtare në UEFA), Luka Zajc (Shefi i Çështjeve Korporative) dhe Yann Hafner (Ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve).
Ndalesa e parë e tyre ishte menjëherë në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore në shoqatat rajonale dhe incidentet e shkaktuara nga ndërhyrje flagrante e politikës.
Pasi të njihet me të gjitha problematikat, pretendimet e palëve dhe të shqyrtojë dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni monitorues i UEFA -s do të përgatisë një raport të detajuar që do të t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, Kryeministrit Edi Rama si edhe FSHF-së. Delegacioni do të qëndrojë disa ditë në Tiranë, pasi UEFA është shumë e ndjeshme në rastet e ndërhyrjes së politikës në çështje të futbollit dhe procesin zgjedhor për organet drejtuese të FSHF-së./Ora News/.
