Shehi kërkon maksimumin: Nuk ka ndeshje të lehta, përqëndrim total me Egnatian
Tri ndeshje të Superiores do të luhen të Hënën ku Tirana do të jetë në proven e radhës ndaj Egnatias. Për trajnerin Shehi, çdo gjë duhet të jetë në maksimum dhe se ekipi nuk duhet të bëjë asnjë lëshim në çdo ndeshje që luan.
“Në futboll nuk ka ndeshje të lehta në letër, pasi edhe ato që duken të lehtë bëhen të vështira në fushë. Është një kundërshtar që vlen tre pikë pavarësisht se ku ndodhet, jemi të ndërgjegjshëm që brenda organikës ka lojtarë cilësorë. Atmosfera është e mirë, nuk kemi vuajtur nga kjo pjesë në këtë sezon. Gjendja e lojtarëve nuk është 100%, na mungon Hoxhallari prej dëmtimit dhe Seferi për arsye kartonësh”.
Për trajnerin e bardhebluve, ekipi duhet të mbajë lart vigjilencën deri në fund pasi futbolli është i poshtër teksa pohoi se Seferi është lojtarë me shumë peshë por ekipi do ta zëvendësojë më së miri.
“Taulanti është një nga lojtarët tanë kryesorë, i cili është i vetmi që i ka luajtur të gjitha ndeshjet. Edhe Hoxhallari është një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Pesha e tyre është e madhe në skuadrën tonë, por kam besim se të gjithë lojtarët e tjerë që do të jenë në fushë do të bëjnë më të mirën që të mos ndjehet mungesa e tyre. Përqendrimi duhet të jetë prezent gjithë kohën, pasi futbolli është i poshtër. Në momentin që ul vigjilencën, ul përqendrimin, mund të ndëshkohesh. Më pas kjo të sjell nervozizëm. Përqendrimi duhet të jetë maksimal, si këtë ndeshje, ashtu edhe ndeshjet e tjera që kanë emocione të tjera”, u shpreh Orges Shehi në fjalën e tij në vigjilje të takimit me Egnatian./Ora News/.
