Strakosha titullar, Lazio arrin fitoren e dytë radhazi (Video)
Nga OraNews Përditësimi i fundit 12 Shkurt 2022, 17:01
Lazio reagon pas eliminimit në Kupën e Italisë. E dominuar në mesjavë nga Milani, bardhekaltërit rigjejnë fitoren duke vijuar në kampionat ecurinë pozitive të javëve të fundit.
Përballë Bolognas në “Olimpico”, me Strakoshën titullar dhe me Hysajn në stol, skuadra e Sarrit bën detyrën duke dominuar 3-0 rivalët në një ndeshje pa shumë histori.
Vetëm 13 minuta lojë iu deshën Immobiles të gjente rrugën e rrjetës me penallti teksa në pjesën e dytë bomberin e bëri sulmuesi anësor, Zaccagni që shënon dygolësh në 53’ dhe 63’ duke vulosur fitoren me rezultatin e pastër 3-0.
Me këtë sukses, Lazio u afrohet rivalëve që janë më lart në zonën Champions ku parashikohet të jete një luftë e ashpër deri në javën e fundit./Ora News/.
