Grabitësit bastisin apartamentin e futbollistit serb të Kukësit
Apartamenti i futbollistit serb të Kukësit, Luka Milunoviç në Tiranë, është grabitur ditën e djeshme, teksa sportisit ishte në stërvitje.
Lajmin e ka njoftuar vetë futbollisti nëpërmjet një postimi në Instagram, ku ka publikuar fotot e apartamentit me xhama të thyer, pasi grabitësit kanë hyrë me forcë në shtëpinë e tij.
Milunoviç shkruan se grabitësit i kanë vjedhur para dhe sende personale. Ai uron që sulmi mos të ketë qenë i qëllimshëm për të dhe familjen e tij.
“Ditën e djeshme isha viktimë e një grabitje në apartamentin tim në Tiranë, ku më morën paratë dhe disa sende personale. Shpresoj që të mos jetë një sulm i qëllimshëm për mua dhe familjen time, sepse këto akte nuk të bëjnë të ndihesh i sigurt. Tani për tani do të lë policinë shqiptare për t’u marrë me këtë çështje, ndërkohë që unë do përpiqem të mos mendoj më për këtë gjë”, ka shkruar futbollisti serb në Instagram.

