Pas Amerikës, Britania thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Ukraina

Pas amerikanëve dhe Britania u kërkon shtetasve të saj të largohen nga Ukraina. Ministri i mbrojtjes James Heappey ka deklaruar për Sky News se ata që zgjedhin të qëndrojnë nuk duhet të presin evakuimin nga ushtria.

“Shtetasit britanikë duhet të largohen menjëherë nga Ukraina me çdo mjet të mundshëm dhe nuk duhet të presin, siç e panë në verë me Afganistanin, se do të kishte ndonjë mundësi për një evakuim ushtarak”, tha ai.

Megjithatë ai shtoi se nuk është marrë ende asnjë vendim për praninë diplomatike të Britanisë në Ukrainë.

Më herët qeveria e Mbretërisë së Bashkuar  ka bërë të ditur se mjetet e transportit janë ende në dispozicion ndaj dha këshillat për të mos qëndrojnë më aty.

Ndërkaq Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace ka sqaruar se trupat britanike të dërguara në Ukrainë për qëllime stërvitore do të kthehen së shpejti.

Për shkak të situatës së tensionuar duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkuar edhe më tej. Associated Press ka raportuar se shtëpia e bardhë ka vendosur të evakuojë Ambasadën e tyre në Kiev pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se një pushtim rus i Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.

Zyrtarë të paidentifikuar të SHBA-së u cituan nga AP të kenë thënë se Departamenti i Shtetit planifikon të njoftojë më 12 shkurt se pothuajse të gjithë stafit amerikan në Ambasadën e Kievit do t'i kërkohet të largohet përpara një pushtimi rus.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për të diskutuar çështjen publikisht, thanë se një numër i vogël diplomatësh amerikanë mund të zhvendosen në perëndimin e largët të Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, një aleat i NATO-s, në mënyrë që SHBA të mund të mbajë praninë diplomatike në vend.