Berberi që stilon futbollistët e Kombëtares: Shtysa ishte Andi Lila

Erti Biturku është i riu 36 vjeçar i lindur në qytetin e Kavajës. Ishte vetëm 12 vjeç kur nisi  eksperiencën e tij si berber. Tashmë mbi një dekadë bën këtë profesion të cilin e do aq shumë. Nga duart e tij stilohen edhe djemtë tanë të kombëtares së futbollit.

I ftuar në studion e  “Jeto me Orën” në RTV Ora berberi Biturku trego më tepër për karrierën e tij dhe marrëdhënien me futbollistët e kombëtares.

“Kam qenë vetëm 12 vjeç, xhaxhai im ushtronte profesionin e berberit në atë kohë tani ai ka ndërruar jetë. Dhe ishte dëshira e tij dhe e prindërve të mijë të merrja këtë zanat, pasi në atë kohë jo se shkolla nuk ishte në modë por zanati ishte më i mirë,” u shpreh berberi.

Ai tregoi edhe sesi lindi bashkëpunimi me djemtë e kombëtares. Shtysa e tij e  parë për të realizuar këtë ëndër ishte shoku i tij Andi Lila dhe duke qenë se ishin në një klasë ata e nisën këtë rrugëtim së bashku.

"Veçoj pjesën më të rëndësishme që më ka ndodhur në karrierë ku mora edhe famën më të madhe që ka qenë bashkëpunimi me djemtë e kombëtares. Ka qenë pak a shumë 10 vite më përpara në 2012 kur një nga djemtë e kombëtares edhe shoku im gjithashtu Andi Lila kishte nevojë për berber dhe aty nisi gjithçka. Sapo kishte ardhur Gianni De Biasi dhe e nisëm së bashku këtë rrugëtim. Unë shkoja për Andin atje dhe duke shfaqur aftësitë e mija dhe u zgjodha si berberi i tyre. Ishte një emocion i madh për mua pasi ne të gjithë edhe kur i shohim në rrugë duam t’i takojmë dhe jo më t’ju shërbesh. I pari fare që i kam shërbyer ishte Lorik Cana ” u shpreh Biturku.

Erti tregoi se marrëdhënien e tij më të afërt nga skuadra e ka me Andi Lilën, dhe më pas me të gjithë të tjerët. I pyetur se a janë tekanjoz djemtë për pamjen e tyre berberi tregoi se edhe ata kanë tekat e tyre.

“Përderisa janë imazh dalin në ekrane, disa janë imazh të shumë kompanive edhe ata kanë tekat e tyre. Dhe unë i qeth para çdo ndeshje” u shpreh Biturku.

  • Berberi që stilon futbollistët e Kombëtares: Shtysa ishte Andi
     

Berberi tregoi edhe për episodin më të veçantë që ka patur deri më tani në bashkëpunimin me Kombëtaren.

“Episodi më i veçantë ka qenë kur ishim në Francë me Armando Sadikun. I kisha premtuar që do ta qethja por para tij qetha Ledian Memushajn dhe filluam duke debatuar se i shkoi vonë se ishte orari që duhet të iknin në stadium. Dhe i thash që po të qetha rri rehat se do bësh gol sot dhe vërtet ne fituam me Rumaninë” u shpreh Biturku. 

Ai tregoi se djemtë më tekanjoz janë Roshi dhe Cikalleshi. Biturku tha se klientët janë shtuar që nga momenti që i është bashkuar Kombëtares. Ai tregoi ndër të tjera se djemtë e Kombëtares herë pas here i kërkojnë të njëjtin model flokësh si ogur të mirë.  Erti tregoi edhe trendet e këtij sezoni.

“Për meshkujt trend tani në këtë periudhë janë flokët e mbushura, të dendura dhe paksa të gjata, gjithashtu edhe mjekra që nuk del asnjëherë  nga moda, pasi është si make-up tek vajzat” përfundoi Biturku.