Morinë, tenton të kalojë kufirin me gati 17 mijë euro të fshehura
Një shtetas me banim në Maqedoninë e Veriut është arrestuar pasi po tentonte të kalonte kufirin në Morinë me mbi 16 mijë euro të padeklaruara
Bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 16.950 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, për veprën penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi".
