U mërzit dhe "zhgarraviti" veprën e artit/ Roja shkakton dëm të madh në ditën e parë të punës

Një vepër arti me vlerë të madhe u desh të dërgohej për restaurim, pasi u vandalizua nga roja i muzeut.

Për arsye të panjohur roja vendosi të bënte një "ndërhyrje artistike" në veprën e artit, duke vizatuar me stilolaps figurat pa fytyrë.

Sipas "Guardian", incidenti ndodhi ndërsa piktura e Anna Leporskaya "Tre Figurat" ndodhej në Qendrën Kulturore Boris Yeltsin në Yekaterinburg në Rusi.

Aleksandër Drozdov, drejtori i qendrës, nuk zbuloi për mediat emrin e rojes, i cili nëse shpallet fajtor do të dënohet me gjobë, ose tre muaj burg.

Por mediet vendase aludojnë se roja ka pikturuar sytë me stilolaps , për arsye se ishte mërzitur në punë, e s'kishte çfarë të bënte.  Mësohet se dita e incidentit ishte dita e parë e punës për rojen.

Vandalizmi u vu re për herë të parë më 7 dhjetor nga dy vizitorë të cilët njoftuan menjëherë një punonjës të galerisë. Vepra e artit u hoq nga ekspozita dhe u kthye në Galerinë Shtetërore Tretyakov në Moskë për tu restauruar.

Piktura "Tre Figurat" u krijua në periudhën 1932-1934 dhe ka një vlerë rreth 740 mijë paund.

Ekspertët e restaurimit në Tretyakov vlerësojnë se kostoja e punës së restaurimit do të jetë rreth 4600 dollarë.