Shtëpia e Bardhë kritikon protestuesit: Bllokimi i urës nga kamionët do rrisë çmimet

Bllokimi dyditor i urës kryesore që lidh Kanadanë me SHBA-të nga protestuesit kundër Covid-19 ka sjellë reagimin e parë nga Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e presidentit Biden, Xhens Psaki tha se në atë urë zhvillohet rreth 25% e tregtisë mes dy vendeve dhe se bllokada përbën një rrezik për zinxhirin e furnizimit me mjete industriale.

"Ura Ambasador përbën rreth 25% të tregtisë mes dy vendeve. Kështu bllokada përbën një rrezik për zinxhirët e furnizimit në industrinë e automjeteve, pasi ura është një kanal kyç për mjetet motorike dhe pjesë të tjera të makinave, e cila rrezikon ndërprerjen e prodhimit të automjeteve."

Psaki tha ndër të tjera se nëse bllokada vazhdon, çmimet priten të rriten edhe më shumë se vitin e kaluar.

Kryeministri i Kanadasë, Xhastin Trudo gjatë fjalimit të tij në parlament e quajti bllokimin e urës që lidh vendin me Shtetet e Bashkuara, të papranueshme.

Opozita konservatore i bëri thirrje që Trudo të lehtësojë masat anti-covid dhe të linte egon e tij mënjanë.

Ura që lidh dy vendet amerikano veriore u bllokua të martën nga kamionistët të cilët protestojnë kundër masave kufizuese të pandemisë.

Nga ana tjetër Otava është pushtuar nga kamionët, të cilët kanë bllokuar lëvizjet në pjesë të ndryshme të kryeqytetit kanadez./Ora News/