Diplomacia fiton terren për Ukrainën, rusët dhe amerikanët më të prirur të përdorin negociatat se luftën
Një pistë mbi të cilën duket se po punojnë palët për të ulur tensionet në Ukrainë, është ajo e Marrëveshjeve të Minskut. Si rusët, por edhe amerikanët, ngjan se i shohin bisedimet në këtë kuadër si një mundësi për të ulur tensionet. Marrëveshjet e Minskut shërbyen për të ulur tensionet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Superfuqitë, Amerika dhe Rusia, duket se i kanë dhënë kohë më të gjatë diplomacisë për të zgjidhur krizën në kufirin me Ukrainën, ku vendasit druhen nga një pushtim rus.
Në Kremlin do të mbërrinte këtë fillimjavë presidenti francez Makron për të biseduar kokë më kokë me homologun rus mbi situatën.
Shefi i Elizesë u shpreh entuziast se rusët nuk duan një përshkalëëzim të situatës, por Kremlini zyrtar hodhi poshtë të martën pohimet e presidentit francez Emmanuel Macron.
Rusia tha se Macron nuk kishte ndikim të mjaftueshëm në NATO që Moska të negocionte ndonjë marrëveshje me Parisin, duke nënkuptuar se janë amerikanët ata që duhet të jenë në tavolinë për të vendosur fatin e situatës.
Ndërkohë, në Moskë pritet të mbërrijë kancelari gjerman Scholz, që ka në agjendë të ringjallë Paktin e Minskut, pikë për të cilën u diskutua edhe me presidentin Macron.
Marrëveshjet - të mbështetura nga Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania në vitin 2014-2015 - synojnë t'i japin fund konfliktit separatist të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, i cili vazhdon edhe sot.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë interpretime thelbësisht të ndryshme të marrëveshjeve.
Administrata Biden i ka karakterizuar marrëveshjet e Minskut si rrugën drejt paqes, ndërsa ka akuzuar Rusinë për shtrembërim të synimeve të marrëveshjeve.
Moska ka akuzuar prej kohësh qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe në konferencën për shtyp të së hënës, presidenti rus i kërkoi Ukrainës t'i respektojë ato: "Të pëlqen apo jo, bukuroshja ime, duhet të durosh", tha Putini.
Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kishte "sinjale pozitive që një zgjidhje për Ukrainën mund të bazohej vetëm në përmbushjen e marrëveshjeve të Minskut".
Ndërsa rusët kanë stacionuar mbi 130 mijë trupa ushtarake të armatosur rëndë në kufi me Ukrainën, Rusia ka bërë edhe kërkesa për garanci të detyrueshme sigurie nga Perëndimi, ku përfshihet që Ukraina dhe Gjeorgjia të bllokohen nga anëtarësimi në NATO.

