Ngacmoi seksualisht të miturën në dyqanin e prindërve, autori dënohet me 4 vjet burg

Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me 4 vjet burgim për shtetasin K.Gj, i akuzuar për ngacmim seksual  ndaj të miturës me  iniciale D.D.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e biznesit të familjes së të miturës.

I akuzuari apeloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë me pretendimin se nuk e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet.

Njoftimi i gjykatës

Me  datë 15.07.2020, mbi kallëzimin e bërë nga viktima e veprës penale,  policia e Tiranës bëri të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale K.GJ, i akuzuar për ngacmim seksual  ndaj të miturës me  iniciale D.D, gjatë kohës që ajo ka qënë e vetme në ambientet e biznesit të familjes së saj.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehur  K.GJ , i akuzuar për kryerjen e veprës penale  të "Ngacmim seksual kundër fëmijëve", e parashikuar nga neni 108/a/2 i K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë,  me vendimin nr. 1326  datë 07.05.2021 ka vendosur:

- Deklarimin fajtor të të pandehurit K.GJ për veprën penale të “Ngacmim seksual kundër fëmijëve", parashikuar nga neni 108/a/2 i K.Penal, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

-Vuajta e dënimit për të pandehurin K.GJ fillon nga dita e arrestimit të tij, dhe pjesa e mbetur e pa vuajtur të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K.GJ, i cili  kërkoi  pafajësi, duke  pretenduar se nuk e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj.Elona Toro dhe anëtarë znj.Edlira Petri dhe z.Genti Shala, me vendimin nr. 89 datë 08.02.2022 vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 1326 datë 07.05.2021, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.