Përdhunoi të miturën dhe tentoi ta privonte nga shkolla, Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burg për të riun
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Kurbinit për Ervis Gjecin. Ai do të qëndrojë 6 vite pas hekurave me akuzën e përdhunimit të të miturës.
Gjeci u arrestua në nëntor të vitit 2019 pas denoncimit nga një vajzë e mitur se ai kishte abuzuar seksualisht me të dhe po ashtu e kërcënonte vazhdimisht për të vazhduar lidhjen me të, si dhe për të mos frekuentuar shkollën, duke i shkaktuar asaj ankth dhe frikë.
Gjeci u dënua nga Gjykata e Kurbinit me 9 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit.
Gjeci e apeloi vendimin duke pretenduar se është i pafajshëm, por Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Kurbinit.
Ai u shpall fajtor për veprat penale "Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 -18 vjeç” dhe të “Përndjekjes".
Vendimi u mor nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Elona Toro dhe anëtarë Edlira Petri dhe Genti Shala.

