Meta publikon listën/ Nga Arta Marku te Gent Ibrahimi, kush janë 10 kandidatët që kërkojnë një vend në Kushtetuese

Mbarimet e mandateve kushtetuese në krye të institucioneve të drejtësisë, i ka bërë drejtuesit që të shikojnë një mundësi në Gjykatën Kushtetuese.

Pas vakancës së krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të anëtarit Përparim Kalo, Janë 10 kandidatë që kërkojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, emrat e të cilëve janë publikuar këtë të martë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Ajo që bie në sy është fakti që për këtë garë kanë shprehur interes kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi dhe anëtari tjetër i këtij këshilli Sandër Beci.

Interes ka shprehur dhe ish-kryeprokurorja Arta Marku e cila aktualish ushtron detyrën e prokurores në Prokurorinë e Apelit.

Arta Vorpsi, e cila ushtron funksionin e Këshilltares në Gjykatën e Lartë rikthehet sërish për të aplikuar në Gjykatën Kushtetuese, pas skandalit të tri viteve më parë ku ajo u betua si anëtare e Kushtetuese para noterit dhe Presidentit.

Po ashtu, një tjetër aplikim interesant është ai i Besnik Dervishit. Duket se pas skandaleve të njëpasnjëshme të publikimit të të dhënave si në rastin e patronazhistëve, ashtu dhe me ato të listave të pagave, apo edhe të targave të makinave, Dervishi ka vendosur të largohet nga detyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave, për t’u bërë një mbrojtës i Kushtetutës.

NJOFTIMI

Institucioni i Presidentit të Republikës, njofton se:

Pas përfundimit të afatit të aplikimit për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, “Vakancë e plotë”, e krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në datën 08.04.2022, të zotit Përparim Kalo, me vendim nr. 42 datë 22.12.2021, të Gjykatës Kushtetuese, procedurë aplikimi kjo e shpallur me Dekretin nr. 13413, datë 13.01.2022, të Presidentit të Republikës, rezulton se kanë shprehur interes dhe kanë aplikuar shtetasit e mëposhtëm:

1.Zonja Ardita Buna
2.Zonja Arta Marku
3.Zonja Arta Vorpsi
4.Zoti Besnik Dervishi
5.Zonja Elida Take
6.Zoti Gent Ibrahimi
7.Zonja Juliana Latifaj
8.Zoti Maksim Qoku
9.Zonja Manjola Xhaxho
10.Zoti Sandër Beci

Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit.

Institucioni i Presidentit të Republikës, referuar pikës 2 të nenit 7/b, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, gjen rastin të kujtojë se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.