Çmimi i naftës në stratosferë, Buxhuku: 25% e karburanteve hyjnë kontraband në Shqipëri, shteti bashkëpunëtor

Një përdorues makine duhet ta blejë naftën sot me rreth 192 lekë për litër dhe benzinën me rreth 194 lekë, në nivele që kanë arritur në rekord historik.

Në lidhje me këtë, administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, thotë se 25% e karburanteve janë kontraband, hyjnë në rrugë ilegale në Shqipëri, fakt që rëndon  akoma më shumë  xhepat e qytetarëve  dhe bizneseve shqiptare, duke thënë se shteti është bashkëpunëtor në këtë fenomen të rëndë.

Në një intervistë për "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora, Buxhuku pohon se cilësia e dobët e karburanteve  në vendin tonë ka kosto të larta financiare, shëndetësore, mjedisore dhe teknologjike.

Çmimi i naftës në stratosferë, Buxhuku: 25% e karburanteve

Gjergj Buxhuku: Përtej faktit të thjesht të një rritjeje kemi të bëjmë me një fenomen që ekziston prej vitesh.  Shqipëria prej vitesh është në vend të parë në nivel rajonl dhe europian për çmimet e karburanteve. Ajo që nuk përmendet shpesh është cilësia e dobët e karburanteve.  Kjo përkthehet në kosto financiare, mjedisore, shëndetësore dhe kosto të teknologjisë  në makineritë qe preken nga cilësia e karburanteve.  Mendohet se 25% e sasisë së karburantit është kontarband. Pikërisht këto çmime shumë të larta të vendosura me taksa shumë të larta shërbejnë që edhe pjesa që u grabitet qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve përfundon në xhepat e atyre që e tregtojnë karburantin në mënyrë ilegale. Kemi transaksione të cilat janë legale, nuk janë të regjistruara.  Sasia e madhe e taksave qe është vendosur në një litër karburant përfundon në xhepin e atyre që bëjnë kontrabandën.

Për deri sa shteti nuk reagon për rritjen e çmimit të karburantit, sipas Buxhukut,  kjo do të thotë se është bashkëpunëtor.  Ndërkohë krahason çmimin e karburantit të vendit tonë me Maqedoninë e Veriut.

Gjergj Buxhuku:  Shteti bën të pafuqishmin në këtë rast sikur nuk ka lidhje fare, ndërkohë që ka shumë mënyra për të kontrolluar çmimin dhe cilësinë. Fakti që shteti nuk ndërhyn në këtë rast kemi kapje të shtetit, që shteti është bashkëpunëtor në këtë rast kaq të rëndë. Për deri sa qytetari shqiptar janë pa mbrojtje atëherë pse mos te rriten çmimet? Kemi një situatë të ndërlikuar e cila e godet nga të gjitha krahët qytetarët, biznesin dhe qeverinë. Rritja e çmimit të karburanteve pasqyrohet  drejtpërdrejt te te gjitha çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Maqedonia e Veriut e ka 1400 lekë sot karburantin  ne e kemi 2 mijë lekë, po flasim me të vjetra. Bosnja e ka 1.3 euro litrin.

Si rrjedhojë Buxhuku thotë se Konfindustria ka ngritur një komision të veçantë për t'i vënë gishtin institucioneve përgjegjëse.

Buxhuku: Situata është shumë e rëndë pritet të bëhet më keq. Në ditë e fundit po kapet rritja historike me 2 mijë lekë. Po rriten çmimet e produkteve, prandaj konfidustria ngriti një komision për ti vëmë gishtin institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi.