Italia merr "frymë"/ Në fundjavë hiqet detyrimi për maskat kundër Covid, do të hapen diskotekat

Italia tenton të riktheje normalitetin tek qytetarët e saj.  Prej 7 ditësh kurba pandemike ka shënuar një përmirësim të dukshëm e qeveria Draghi ka firmosur dekretin e masave më lehtësuese që hyjnë në fuqi kete te hëne.

Për qytetarët të cilët kanë kryer të tre dozat të vaksinës, Green Pass-i, pra pasaporta shëndetësore, do të kenë një afat kohor pa limit. 

Pa afat do të jetë pasaporta shëndetësore dhe për ata të cilët janë shëruar nga Covid e kanë kryer vetëm dy doza vaksine.

Ndërsa për ata që kanë marre dy doza e nuk janë prekur nga virusi, ose një dozë të vetme e janë shëruar nga virusi, Green Pass do të jetë i vlefshëm vetëm 6 muaj.  

Drafti i masave të reja parashikon lehtësime dhe për regjimin e karantinimit i cili nuk është më i detyrueshëm për personat që kanë kryer të tre dozat e vaksinës e që kanë qenë në kontakt me persona të rezultuar pozitiv nga Covid 19.

Lehtësime janë parashikuar dhe në sistemin shkollor kur mësimin online do të bëhet vetëm në raste kur në një klasë janë verfikuar mbi 4 raste pozitive.

Rikthimi në shkollë do të bëhet me një test të shpejtë.

Prej rreth një jave, në dy të tretat e territorit italian, kurba pandemike ka regjistruar një përmirësim konstant.

Te premten  pritet që në zonat e ashtuquajtura të bardha, pra me rrezikshmëri të ulët infektimi, të hiqet detyrimi i maskave në ambientet e hapura, si dhe të rihapen diskotekat e pistat e vallëzimit.

Gjatë 24 orëve të fundit, Italia ka regjistruar mbi 77 mijë raste pozitive e 229 viktima, ndërsa gjatë këtyre dy viteve pandemi janë mbi 11 milionë raste të infektuarish të regjistruar e 148 771 viktima.

Deri më sot janë kryer mbi 150 milionë doza vaksine. e mbi 82% e popullsisë mbi 12 vjeç kanë kryer të tre dozat e vaksinës.