Shtohen rastet e dhunës brenda familjes dhe divorcet në Kukës, shkak varfëria dhe emigracioni
Dhuna në familje dhe divorcet po njohin rritje vit pas viti në Kukës. Fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese, ndërsa shkaqe kryesore cilësohen varfëria dhe emigracioni.
Dhuna në familje, njohu rritje në Kukës përgjatë vitit të kaluar por dhe prej janarit e në vijim.
Aurora Guska: Ky vit me 43 raste, jemi në rritje po të kemi parasysh se jemi një rreth me popullsi jo të lartë. Po të krahasosh janarin e 2021 me janarin e 2022 jemi me dyfishim të rasteve të dhunës në familje.
Në rritje janë edhe janë edhe kërkesat për divorc.
Përgjatë vitit 2021, u regjistruan 126 të tilla, shifer e cilësuar shqetësuese për Bashkinë ku popullsia po zvogëlohet vit pas viti për shkak të largimit të të rinjve e jo vetëm.
Aurora Guska: Kemi pasur divorce ku bashkëshortët kanë pasur 20-30 vite martesë, kemi pasur divorce me prindër me shumë fëmijë, 3,4,5 fëmijë.
Varfëria në një anë dhe emigracioni në anën tjetër, vlerësohen mes shkaqeve kryesore për dhunën dhe ndarjen e familjeve.
Aurora Guska: Shkaqet për divorce kanë mbetur emigrimi, papunësia, niveli i ulët ekonomik, dhuna psikologjike, dhuna fizike.
Krimet dhe dhuna në familje mbetet fenomen shqetësues.
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit gjatë 2021-shit u regjistruan 1662 vepra penale të “Dhunës në familje”, ndërsa 18 gra u vranë, ku autorë kryesisht ishin bashkëshortët.

