Prezantimi i kandidatit për kryebashkiak të Durrësit, PD: Berisha dhe kandidatët e tij janë pjesë e LSI

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me prezantimin e kandidatit në garën për bashkinë e Durrësit nga koalicioni Shtëpia e Lirisë.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se Sali Berisha vazhdon të manipulojë demokratët.

Sipas PD, kandidatët e shtëpisë së Ilirit sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

"Disa njerëz nga Shtëpia e Ilirit e kanë të vështirë të heqin dorë nga e kaluara e tyre, por çdo votë për këtë shtëpi është votë për pazarin e radhës Meta-Rama.Shqiptarët e dinë shumë mirë që Partia Demokratike është një, dhe LSI një gjë tjetër".

PD thotë se Sali Berisha dhe kandidatët e tij janë tashmë pjesë e LSI-së dhe ndonëse duket që u vjen turp nga anëtarësimi në këtë parti, ata nuk i lidh më asgjë me PD, sado mashtrojnë duke përdorur emrin dhe simbolet e saj.

"Demokratët e dinë se si Ilir Meta ka përdorur pushtetin dhe votat e tyre për pazarin me Edi Ramën ne 2013-ën. Sot po bën të njëjtën gjë. Prandaj kush zgjedh Metën dhe Berishën, mban Ramën!" përfundon deklarata.