Banorët, ultimatum qeverisë për shpronësimet: Kontratë e drejtë për shtëpitë ose grevë urie
Banorët e 5 Majit, Laprakës, Paskuqanit, Kodrës së Priftit dhe Kombinatit e kanë zhvendosur protestën e tyre para Kryeministrisë.
Pronat e tyre preken nga projektet e rindërtimit dhe Unazës së Madhe. Ata kërkojnë shpronësim të drejtë për pronat e tyre.
"Jam shumë e lodhur. Ai thotë i ka marrë nëna Liza, unë nuk kam marrë asgjë. Se kush e ka marrë. Shteti ka marrë shtëpinë time, unë asgjë. Gënjeshtra koti. Nuk kam si firmos pa firmosur ai kontratën për shtëpinë me noter dhe avokat. Kështu nuk firmos as kontratë dhe as bonus. Unë jam 78 vjeçe dhe jam jashtë" thotë nënë Liza, simbol i protestës së banorëve të 5 Majit.
"Po shohim mundësinë të futemi në grevë urie para se të nisë shembja atje. Jemi para një vendimi me të gjithë banorët, do vendosim nëse do të hyjmë në grevë urie. Do shikojë të vendosemi me një çadër para Kryeministrisë. Është protesta e fëmijëve, shpresës dhe të ardhmes. Nuk po mbrojmë vetëm banesat tona, por fëmijët dhe të ardhmen tonë" thotë Bledar Marku nga zona e Laprakës.
"Erion Veliaj armën më të fortë për të qëndruar në pushtet ka urrejtjen. Tiranën dhe Shqipërinë nuk e kanë shkatërruar ndërtimet pa leje por ndërtimet me leje. Varrmihësit e Tiranës janë Erion Veliaj dhe Edi Rama. ALUIZNI 30 vjet ka qenë supermarket Miloti. Veliaj dhe Rama do ikin një ditë nga pushteti por po lënë një komb nën çizmen e trafikantëve të drogës" u shpreh një banor i Astirit që kishte dalë për të mbështetur protestën.
Në mbyllje të protestës, ata u dakordësuan për të hyrë në grevë urie për kauzën e tyre por duke u lënë dy ditë kohë autoriteteve për të reflektuar drejt një zgjidhje.
"Dy ditë afat deri të martën. Nëse nuk ka zgjidhje, në darkë vijmë dhe vendosim çadrat këtu dhe hyjmë në grevë urie".
