"Rithemelimi" ndez motorët e fushatës, Berisha prezanton në Sukth kandidatin e bashkisë së Durrësit
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ka ndezur motorët e fushatës. Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar këtë të diel, 6 shkurt kandidatin e "Shtëpisë së Lirisë" për bashkinë e Durrësit, i cili do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore, Ardian Muka.
Nga Sukthi, Sali Berisha u shpreh se bashkia e Durrësit ka qenë dhe do të mbetet një bashki me rëndësi jetike për kombin dhe Shqipërinë.
Berisha: Në 8 vitet e fundit, një qeverisje që varfëron dhe nuk begaton vendin dhe qytetarët e tij, një qeverisje e cila së bashku me qeverinë vendore e shndërroi Durrësin në kryeqytetin e betonit, e shndërroi Durrësin në një qytet që në njërën anë ke banorët e tij më të civilizuar dhe punëtorë, në anën tjetër bandat e qeverisë të cilët punojnë ditën dhe natën për llogari të qeverisë. Ambiciet e qeverisë për Durrësin tejkaluan çdo parashikim të të gjitha kohërave. Durrësi ka parë perandori dhe hordhi të huaja të panumërta. Asnjëra prej tyre nuk ka vendosur t'ia heqë portin qytetit. Porti dhe qyteti janë si trupi me zemrën, të lidhur me njëri0tjetrin. Kjo qeveri në mënyrën më të papërgjegjshme pas aferës më të madhe korruptive në Evropë, për ta shndërruar 800 mijë metra katrorë në një zonë ndërtimesh, tani del për Edvinin dhe Lul Bravën, për larjen e miliarda parave droge. Shikoni çfarë janë në gjendje t'i bëjnë qytetit.
Berisha u ndal dhe te rritja e çmimeve të karburanteve. Ai tha se kjo nuk vjen për shkak të bursave, pro për shkak të vjedhjes së qeverisë.
Berisha: Çmime stratosferike të të gjitha plehrave dhe helmeve që ju përdorni për të mbrojtur bimët që mbillni, çmime të rritura 4-5 herë sepse ky është monopoli qeveritar, është klientela e qeverisë ajo që përcakton çmimet. Vjedhja shtrihet mbi ju si një vello e zezë që nxin çdo ditë e më shumë të ardhmen tonë d he kjo është vjedhje e organizuar nga qeveria dhe qeveritarët.
