Rritet me 200 lekë çmimi i druve, banorët në Korçë: I papërballueshëm, rrogat dhe pensionet të ulëta
Në juglindje çmimi i druve është rritur sërish. Qytetarët thonë se një metër kub dru detyrohen ta blejnë me afro 4 mijë e 500 lekë. I papërballueshëm çmimi është veçanërisht për të moshuarit.
Lënda drusore në Korçë është shtrenjtuar me 200 lekë.
Ditët e ftohta e temperaturat disa gradë nën zero kanë detyruar qytetarët të përdorin edhe më tepër lëndë drusore.
Kjo kërkesë e lartë është shfrytëzuar nga tregtarët të cilët kanë rritur sërish çmimin.
Një metër kub dru këtë fillim shkurti varion nga 4 mijë deri në 4 mijë e 500 lekë për metër kub.
Qytetarët thonë se e kanë thuajse të pamundur të përballojnë blerjen e druve.
"40 mijë, unë s'kam kaq lekë të blej drutë."
"Për ne druja është shumë e lartë."
"Çmimi i druve është rritur, nga muaji në muaj është ngritur."
Të moshuarit e kanë edhe më të vështirë të sigurojnë ngrohjen këtë dimër.
"Del, s'del me zor do ta paguash. Na ndihmon djali se po të jemi vetë ne nuk na del."
Për banorët e zonave veriore dhe juglindore ngrohja me dru është e vetmja mënyrë për të përballuar dimrin e acartë.
