Thirrja në kor e fëmijëve për kryeministrin: Xhaxhi Edi, të lutem mos na i prish shtëpitë!
Mes lotësh dhe me piktura fëmijët e familjeve të lagjeve që po shemben banesat në Tiranë, i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të mos u shembë banesat. Me prindërit në krah dhe në mes të një drame sociale, ata kërkojnë një shtëpi, ashtu si dhe janë rritur dhe deri më tani. Prindërit nga ana tjetër kërkuan respektimin e të drejtës së pronës, por dhe paralajmëruan grevë urie.
"Xhaxhi Edi, të lutem mos na i prish shtëpitë."
Me këto thirrje fëmijët e disa zonave të kryeqytetit ju drejtuan kryeministrit Rama për të mos ju prishur shtëpitë.
"Sot nuk është protestë për të rriturit, është mesazhi që po japin fëmijët."
"Xhaxhi Edi, mos na i prishni shtëpitë!"
Kjo 9-vjeçare teksa dëgjonte kërkesat e protestuesve nuk ka arritur ti mbajë lotët teksa kërkon që të mos i prishin shtëpinë.
"Mos të na e prishin shtëpinë, e kemi bërë me shumë mundim".
Përmes vizatimeve shprehën dëshirën e tyre për të mos u thyer ëndrrat.
Banorët e disa zonave si Lapraka, 5 Maji dhe Paskuqani prej muajsh po protestojnë, pasi me nisjen e disa projekteve si Unaza e Madhe apo procesi i rindërtimit, preken shtëpitë e tyre ndërsa atyre nuk iu është dhënë një zgjidhje se ku do të shkojnë.
"U kemi bërë kërkesë deputetëve të ndërmarrin një nismë ligjore konkrete, të njihen të gjitha legalizimet, të njihet prona dhe dinjiteti i njerëzve."
"Matuni mirë para se të vini."
"Nuk jemi kundër projektit por na shpronësoni para se të merrni pronat tona."
Protestës iu bashkua dhe një e re me aftësi të kufizuar, e cila u shpreh që e ka ngritur zërin shpesh për mungesën e infrastrukturës ndërsa sot rrezikon të jetë pa shtëpi.
"Kam kërkuar të drejtën time për rrugën mijëra herë, ai nuk më jep zgjidhje për rrugën, por më prish dhe shtëpinë, më lë në rrugë. Ku të më çojnë vëllezërit e mi, ku të shkoj unë me karrocë?"
Banorët u lanë afat institucioneve deri të martën në orën 16:00 që t'ju japin zgjidhje në të kundërt do të futen në grevë urie.
"Nëse nuk ka reagim, nuk ka reflektim për çfarë kemi kërkuar, të martën në darkë vijmë dhe vendosim çadrën këtu, hyjmë në grevë urie për të shpëtuar të ardhmen tonë.Të martën është afati i fundit. Keni dy ditë afat që tu jepni zgjidhje njerëzve në të kundërt do të gjeni kufomat në grevë urie poshtë Kryeministrisë, shpresojmë që jo."


