"Shpëtojmë Durrësin nga mafia", Berisha: Vota për Lul Bravën shkon për Ramën dhe peshkaqenin Gjush Dako
“Vota për kandidatin e Lulzim Bashës shkon për Edi Ramën dhe Vangjush Dakon” në këtë mënyrë i ka orientuar Sali Berisha zgjedhësit e bashkise së Durrësit të cilët më 6 mars do të votojnë kryetarin e ri.
Nga Sukthi, ku prezantoi Ardian Muka , kandidatin e "Shtëpisë së Lirisë", Berisha foli për aferat korruptive në këtë qytet duke sjellë në vëmendje atë të fundit, projektin e Portit të Durrësit që sipas tij është vetëm një kantier për pastrimin e parave të drogës.
Berisha: Kjo qeveri në mënyrën më të papërgjegjshme, pas një sage në një nga aferat më të mëdha të Europë, duke prerë kafshatën e mbi 12 mijë familjeve që ushqeheshin në Port, për të shndërruar 800 mijë metra katrorë në një zonë ndërtimesh. U tha për Emarin, por tani del për Edvinin dhe Lul Bravën, për të larë miliarda para droge. T’ia presin me sëpatë 3 mijë vite histori. Babëzia, lukunia nuk ka fund te këta njerëz. Nuk ka qëndrim më armiqësor ndaj qytetarëve të Durrësit dhe shqiptarëve.
Sipas liderit historik të demokratëve, qeverisja e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës e ka kthyer Durrësin në kryeqytetin e betonit.
Ndërsa foli për krizën e mbetjeve urbane, Berisha akuzoi Bashën edhe për implikim në aferën e incineratoreve
Berisha: Kurse këta për mbetjet e zakonshme urbane, e realizuan me një shumë 15 milionë euro, 6 herë më të madhe. Pse? Sepse janë bashkëaksioner, Zoto me kompaninë tjetër të Lul Bravës.
Vetë kandidati i "Shtëpisë së Lirisë", Ardian Muka u bëri thirrje qytetarëve të largojnë me vote atë që sundojnë në bashki dhe që kanë përdorur qytetin për interesat mafioze.
