"Kodra e Priftit" në protestë, kërkojnë rikthimin e projektit fillestar të "Unazës së Madhe"
Banorët e zonës “Kodra e Priftit” në Tiranë kanë dalë në protestë pasi kërkojnë rikthimin e projektit fillestar të ‘Unazës së Madhe’. Në një prononcim për mediat, banorët janë shprehur se prej vitesh kanë bërë kërkesë për legalizim të shtëpive dhe se Bashkia por dhe ARRSH i kanë garantuar se nuk do të preket asnjë prej banesave.
40 shtëpi priten te prishen në segmentin Shkozë-Kodra e Priftit si pasojë e devijimit të Lotit të 4 të Unazës së Madhe.
Për këtë arsye banorët e Kodrës së Priftit u ngritën në protestë duke kundërshtuar devijimin e projektit.
Sipas tyre me projektin fillestar të vitit 1989 prishen 7 shtëpi ndërsa me devijimin 40 shtëpi, duke shkaktuar një kosto të madhe për taksapaguesit.
Ato thonë se janë skualifikuar nga legalizimi ndërsa më herët ju është thënë që në zonë nuk ka asnjë projekt e për këtë mashtrim, siç e quajnë ata, do të bëjnë një kallëzim në prokurori.
"Përgjigjja që ka ardhur nga ARRSH është një përgjigje shumë e mangët. i kemi dërguar letra kryeministrit, kryetares së Parlamentit kryetarit të bashkisë, ARRSh, Avokatit të Popullit. Përveç Avokatit të Popullit askush nuk na ka kthyer përgjigje. Banorët këtu të gjithë e kanë blerë tokën. Përse nuk vijnë të ulen me banorët? I kemi bërë disa herë thirrje.
Kjo tokë e lënë bosh është lënë për të ndërtuar një oligark pallate. Nuk e di nëse është oligark nga ata të listës së Yuri Kim, ta gjejnë ata. Kërkesa jonë është që rruga të shkojë atje ku ka qenë. Nuk ka kompromis tjetër me ne. Pse duhet të prishen shtëpitë? SPAK të bëjë punën e vet. Këtu është një peshk i madh që i lëviz këto ujëra."
Sipas banorëve, para se të ndërtonin shtëpitë u janë drejtuar edhe institucioneve për të marrë informacion nëse prekeshin nga projekti i ndërtimit të Unazës.

