Ushtrim i paligjshëm i lojërave të fatit, 4 të arrestuar në Korçë
Policia e Korçës ka vënë në pranga 4 persona dhe ka proceduar penalisht 1 tjetër për ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit.
Operacioni i koduar "Basti i fundit" çoi në pranga E. P., 21 vjeç, banues në Korçë; Xh. K., 21 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë; A. L., 32 vjeç, banues në Korçë; G. K., 44 vjeç, banues në Korçë.
Penalisht u procedua Xh.G 21 vjeç, banues në fshatin Voskopojë, Korçë.
"Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara si edhe nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr. 4, në lokalin në përdorim të shtetasit E. P., i cili nuk dispononte dokumentacionin përkatës për këtë biznes, konstatuan një punonjës të pasiguruar dhe 3 aparate celularë në përdorim të shtetasve E. P., Xh. K. dhe A. L., të cilët dyshohet se përdoreshin prej tyre për vendosjen e basteve sportive," informon policia.
"Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 9, në lokalin në pronësi të shtetasit Xh. G., u konstatua një punonjës i pasiguruar, një sasi pijesh alkoolike pa pullën fiskale, si edhe shtetasit G. K., iu gjetën 2 aparate celularë, që dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale."
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale "Punësimi i paligjshëm", "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Fshehja e të ardhurave", "Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale" dhe "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin".

