Dënimi i Saimir Tahirit, Salianji: Edi Rama kreu i bandës, Tahiri nuk vepronte pa bekimin e tij
“Dënimi i ministrit të Brendshëm më të vlerësuar e më të përkëdhelur të Edi Ramës, është prova e plotë dhe e madhe se Shqipëria nën qeverisjen e Rilindjes u kthye në parajsën e drogës” komenton deputeti i PD-së Ervin Salianji në një deklaratë për median.
Salianji thotë se dënimi i ministrit ishte provë se PD kishte të drejtë në denoncimet e saj.
“Shpallja fajtor e ministrit të Ramës dhe zbardhja e lidhjeve të tij me bandat e krimit të organizuar të trafikut të drogës, janë prova se PD kishte të drejtë në denoncimet e saj.
Nëse do të ishin dëgjuar në kohën e duhur, sot Shqipëria nuk do ishte në këtë situatë kriminale dhe paratë e drogës nuk do ishin investuar për blerjen e zgjedhjeve e në ndërtim. Edi Rama mbrojti krimin e organizuar, pasi Saimir Tahiri nuk mund të vepronte pa mbrojtjen, mbështetjen dhe bekimin e Edi Ramës që është kreu i bandës”
Më 4 shkurt 2022 Gjykata e Posaçme e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dënoi me 3.4 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”