Protesta në Paskuqan, banorët kërkojnë dëmshpërblim: Krim të shembet shtëpia për 2 metra

Banorët e Paskuqanit kanë dalë sërish në protestë këtë të premte duke kërkuar që projekti i Unazës së madhe të ndryshojë që banesat e tyre të mos shemben.

“Duam thjesht dëmshpërblim ose devijim të projektit sepse për dy metra të prishet një shtëpi apo të kapet shkalla e një shtëpie është krim. Prindërit kanë punuar me vite.”

Shkak për devijimin e rrugës sipas tyre është bërë fabrika e tullave. Më shumë se 100 shtëpi janë në plan për t’u prishur dhe banorët shprehen se nuk do të ndalin protestat derisa të marrin një zgjidhje konkrete.

“Ai person që tenton që me këtë lloj tenderi  të pasurojë fëmijët e vet dhe të varfërojë fëmijët e mi, puna do të shkojë “dhëmbë për dhëmbë”.

Ndërkohë nga frika se fadromat do të shembin edhe banesat e tyre, ata kanë filluar të shohin edhe për alternativa të tjera.

“Me qira. Ku do shkojmë ku do i lëmë kalamajt. S’paguhet qiraja, s’kemi mundësi. Jam babai i fëmijëve, s’kam asnjë pronë tjetër, nuk di çfarë zgjidhje t’i japë vetes."

Në mbështetje të tyre ishin edhe banorët e 5 majit dhe të Laprakës, të cilët gjithashtu ndajnë të njëjtat shqetësime.

Ashtu edhe si në protestat e fundit të tyre, ata kanë tentuar të bllokojnë rrugën kryesore në formë proteste, por janë ndaluar nga forcat e policisë, duke pasur edhe përplasje fizike mes palëve. 

Kryeministria do të jetë vendgrumbullimi i radhës për banorët e 5 majit, Laprakës dhe Paskuqanit duke kështu edhe protestën që do të zhvillohet ditën e diel.