Gjykata e dënoi, Avokati i Çelës: Rekurs vendimit, s'ka pasur kontakte me "Habilajt", s’ka prova

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën me burg për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ky i fundit është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg dhe akuzohet për shpërdorim detyre. 

Ndërkohë në lidhje me vendimin e Gjykatës, ka reaguar edhe avokati i Çelë, i cili është shprehur se Gjykata nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Çela ka pasur kontakte me grupin e strukturuar kriminal. 

Ai tha se do të bëjë rekurs kundër vendimit të Gjykatës. 

"Tre gjëra duhet të merren në konsideratë për këtë proces. E para: Është standard jashtëzakonisht shumë i ulët i provueshmërisë. Për shtetin shqiptar, nuk është më e rëndësishme  17 vite karrierrë me 17 vite suksese, por janë të rëndësishme dy telefonata pa përmbajtje që sot e bëjnë fajtor Jaeld Çelën. Për prokurorinë janë të rëndësishme vetëm dy telefonata që vërtetojnë lidhjen e qëndrueshme me eeksponentë të grupit të strukturuar kriminal. Nuk duhet të jetë ky standardi i provimit. 

Gjykata duhet të ketë parasysh të gjithë veprimtarinë që ka zhvilluar drejtoria  vendore e policisë, Vlorë. Është e paprovuar nga ana e Gjykatës që të ketë pasur kontakte me grup kriminal. Standarti i këtij vendimi është shumë i dobët, i pa mbështetur në  prova. Ajo që them me bindjen time është se s’ka asnjë provë. Vendimi i sotëm vë në rrezik gjithë drejtësinë. Do bëjmë rekurs nga këtij vendimi. S’ka asnjë lidhje as të tërthortë mes Çelës dhe grupit të strukturuar kriminal."- u shpreh avokati. 

Në nëntor të 2017 prokuroria e akuzoi Çelën se në bashkëpunim me Ministrin Tahiri ndihmoi bandën e Habilajve për të trafikuar drogë. Prokurorë të çështjes asokohe ishin Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentian Osmani.

Ndaj Çelës u ngritën akuzat për shpërdorim detyre, trafik droge, aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, por Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për shpërdorim detyre.