Nga frika e kamerave "krokodil" tek njerëzit që e ndalojnë në rrugë/ Historia komike e shef Titit: Më dukej sikur do më hante...
Kuzhinieri i njohur për publikun shqiptar, shef Titi, teksa flet për rrugëtimin e tij në televizionin RTV Ora, ndan kujtime nga eksperienca e parë me kamerat dhe botën e medias.
Me emrin e vërtetë, Astrit Sejdini, shef Titi thotë në emisionin "Ditë e Re" se prej 10 vitesh është shef kuzhine në Ora News.
Megjithatë shef Titi nuk ka qenë gjithmonë kaq i lirë para kamerave, ai tregon se në fillimet e tij kamerat i dukeshin si krokodilë, dhe se kishte frikë nga 'to. Ndër të tjera shef Titi shprehet se personi që e ka tërhequr në botën e televizionit është moderatori dhe gazetari Enkel Demi.
Shef Titi: U bënë gati 10 vite që unë fillova të gatuaj, si shef kuzhine në Ora News. Një "kriminel" në thonjëza Enkel Demi më futi në ekran për herë të parë në një emision mëngjesi. Në fillimet e mia kamera më dukej si krokodil, sikur do më hante. Kisha frikë nga kamera. Avash avash me ndihmën e Kelit ia mora dorën. Keli më shtynte gjithmonë, e kisha si çekiç mbi kokën time. Tashmë njerëzit që më njohin më ndalojnë në rrugë dhe më përshëndesin.

