Ndahet nga jeta presidenti i famshëm në Serinë A, pak kohë pasi humbi edhe djalin

Futbolli italian është në zi. Në moshën 80-vjeçare ndahet nga jeta Maurizio Zamparini, një prej presidentëve më karizmatik në Serinë A.

Zamparini ishte shtruar në Dhjetor në spital pasi kishte probleme shëndetësore të shkaktuara nga një infeksion në pjesën e barkut ndërsa vetëm disa muaj më parë ai humbi djalin 22 vjeç i cili u gjend i pajetë në banesën e tij në Londër.

Zamparini u bë i famshëm në krye të Palermos, të cilën arriti ta ngrinte shumë lart në Serinë A teksa ka patur edhe dy klube të tjera në zotërim, Venezia dhe Pordenone. Ish numri 1 i Palermos ka patur ulje ngritje në botën e sportit teksa njihej edhe si i pamëshirshëm me trajnerët të cilët i shkarkonte shpesh.

Ishte ai që zbuloi dhe u dha shansin lojtarëve të mëdhenj si Dybala, Pastore, Miccoli, Cavani të shpërthenin teksa në 2011 arriti kulmin kur Palermo arriti finalen e Kupës së Italisë të humbur 3-1 me Interin. Vitet më pas pësuan rënie drastike dhe në 2019 e shiti klubin në një grup investuesish./Ora News/.