Ndaloni fiskalizimin, Konfindustria: Vjedhja e të dhënave të bizneseve shkakton krizë

Konfindustria shqiptare i kërkon qeverisë të ndalojë procesin e fiskalizimit të detyrueshëm me argumentin se ky proces rrezikon të dhënat e bizneseve, pas skandalit të publikimit të pagave të qytetarëve shqiptarë. Sipas kërkesës, fiskalizimi duhet të ndaloje derisa institucionet shtetërore të marrin masat dhe kontrollet e nevojshme për garantimin e sekretit tregtar të bizneseve, i cili nëse cenohet mund të shkaktojë krizë e të dëmtojë konkurrencën në treg.

Pas skandalit të publikimit të listë-pagesave të qytetarëve shqiptarë, Konfindustria i kërkon institucioneve shtetërore të ndalojnë procesin e fiskalizimit të detyrueshëm deri në dhënien e garancive të plota nga shteti për mbrojtjen e të dhënave private.

Nisma e ndërmarrë nga Konfindustria përmban dhe kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe bizneseve në dhjetor të vitit të kaluar. Ky Komision do të identifikojë shkaktarët e keqpërdorimit të të dhënave të qytetarëve dhe investimet e kryera deri tani në sistemin informatik shtetëror.

Sipas Konfindustrisë, ky skandal provoi se agjencitë përgjegjëse të shtetit shqiptar janë krejtësisht të paafta të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve të ndodhura në serverat e tyre.

Buxhuku pohon se nëse fiskalizimi nuk pezullohet ky skandal mund të thellohet më tej pasi do të shkatërrojë konkurrencën ndërmjet bizneseve dhe do të ketë pasoja të pallogaritshme financiare dhe ekonomike.

Ai paralajmëron gjithashtu se rrjedhja e të dhënave të bizneseve nga ky proces mund të çojë në humbje të mëdha financiare deri në falimentimin e 120 mijë subjekteve. Konfindustria vlerëson se përmes kësaj nisme do të parandalohet dhe rreziku i penaliteteve gjyqësore ndaj shtetit shqiptar nga bizneset e vendit dhe të huaja.

Në dokument theksohet se agjencive shtetërore duhet t’u jepet koha e mjaftueshme për të përmirësuar legjislacionin përkatës dhe sistemet teknologjike të sigurisë me qëllim mbrojtjen e të dhënave të bizneseve.

Kërkesa e Konfindustrisë i është depozituar Presidentit Meta, kryeministrit Rama, kryetares së Kuvendit, ministres së Financave, kryetarit të KLSH dhe kryetarit të SHISH.

Ndaloni fiskalizimin, Konfindustria: Vjedhja e të dhënave të