6 marsi, Braimllari lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Berishën: LSI do mbështetë ata që luftojnë regjimin

Lëvizja Socialiste për Integrim ka çuar kërkesën zyrtare për tu regjistruar në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 6 mars.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se prej ditësh LSI po zhvillon takime në të gjitha bashkitë e vendit ku do mbahen zgjedhje.

Braimllari: Përzgjedhja e kandidaturave në këto 6 bashki është një mënyrë e drejtpërdrejtë me zonën, por mbi të gjitha ka të bëjë me faktorët. Ka një rëndësi të veçantë 6 marsi sepse një herë e përgjithmonë do ndajë opozitën e vërtetë nga opozita fasadë. Është e qartë që opozita po shkon në këto zgjedhje në disa drejtime, por ajo që mund të themi me përgjegjësi të madhe ka të bëjë me faktin e pozicionimit të faktorëve opozitë në opozitë reale me keqqeverisjen.

LSI do mbështetë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit të PD apo do ketë kandidatët e saj?

Braimllari tha se janë duke bërë testime.

Braimllari: Situatën do ta shikojmë në bazë të bashkisë sepse interesi është lokal. Një gjë është e sigurt që fajtor për këtë situatë është Lulzim Basha dhe Edi Rama sepse nuk mund ta çonin vendin në këtë situatë. Nëse do kishim një drejtues opozite të përgjegjshëm mund të kishte një regjistrim të partisë të tij në 13 tetor kur kishim dekret në zgjedhjet lokale. Mund të kishim një rezultat tjetër. Po bëhen sondazhet e nevojshme. Ne do përkrahim çdo kandidaturë e cila është në luftë me regjimin dhe është një opozitë e vërtetë. Opozitë të vërtetë quaj atë që lufton regjimin. Pas 25 prillit është faktuar që Basha është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Ramën.

Zoti Braimllari kështu e la të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me Komisionin e Rithemelimit.