6 marsi test për PD? Çobani: Opozita në situatë të disfavorshme, do jetë një goditje e rëndë politike

Zgjedhjet e pjesshme vendore të cilat do të mbahen në 6 bashkitë e vendit më 6 mars e gjejnë opozitën të përçarë. Komisioni i rithemelimit ka prezantuar listën e kandidatëve të cilët do të shkojnë në Primare ditën e nesërme, 30 janar, ndërsa Lulzim Basha do të hyjë në zgjedhje me kandidatët e vet. PD rikthehet në zgjedhje pas bojkotitt të zgjedhjeve lokale në 2019.

Gazetari Genc Çobani në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se opozita është rikthyer, por jo në të njëtat kushte që ka qenë në 2019.

Çobani: Nëse atëherë kishim të bënim me një opozitë të bashkuar, tani është në një pozicion të disfavorshëm. Janë dy elementë; të gjitha bashkitë ku do zhvillohen zgjedhjet, me përjashtim të Shkodrës mund të konsiderohen si bastione të PS, ndërkohë që nga ana tjetër është situatë e disfavorshme edhe për atë që po kalon opozita. Kemi një opozitë të përçarë, një opozitë që ende nuk dihet si do të paraqitet. Do të jetë një goditje e rëndë politike për opozitën.

Gazetari nuk i shikon këto zgjedhje si një test për opozitën. Sipas tij, edhe në kushte normale, PS do të hynte në zgjedhje më e favorshme pasi 5 bashkitë; Durrësi, Vora, Lushnja, Dibra dhe Rrogozhina sipas tij janë bastione të PS.

Çobani: I vetmi test do jetë Shkodra.

Pesha e LSI dhe partive të tjera aleate

Gazetari u shpreh se LSI ka qenë një parti që peshën e parë elektorale e ka marrë nga të pakënaqurit e PS.

Çobani: Erdhi një moment (zgjedhjet e 25 prillit) dhe pamë që pesha e kësaj partie ra. Kësaj radhe do ishte më tepër për t'i lejuar zotit Berisha që të hyjë në këto zgjedhje se sa për të marrë ndonjë mbështetje të fuqishme elektorale.   Ndërsa aleatët janë duke u menduar më shumë për veten e tyre se sa kë duhet të zgjedhin. Për mendimin tim nuk kanë peshë.

A do të ndikojë emri i kandidatit në rezultatin e zgjedhjeve?

Gazetari tha se duke pasur parasysh mentalitetin dhe presionin e llahtarshëm që ushtrojnë siglat e partive mbi elektoratin është ende shpejt.

Çobani: Natyrisht emri i kandidatit do ndikojë. Por është ende shpejt në Shqipëri që ta mendosh se do të vetë vendimtare. Sigla e partisë do mbetet vendimtare.

Zoti Çobani tha se opozita nuk duhet të hynte në këto zgjedhje me 2 lista.