Kriminaliteti u shtua, zbulueshmëria e policisë ra, 9 vrasje gjatë 2021 në Shkodër
Analiza e Policisë së Shtetit vërtetoi se Shkodra mbetet një prej qarqeve me kriminalitet të lartë. 9 vrasje, 5 më shumë se një vit më parë u shënuan gjatë vitit 2021, përgjatë të cilit blutë shënuan rënie të zbulueshmërisë. Krahas krimeve kundër jetës, kultivimi i bimëve narkotike shënoi rritje.
Me 9 vrasje mes 1999 veprave penale, viti 2021 shënoi rritje të kriminalitetit në qarkun e Shkodrës, por edhe zbulueshmëri më të ulet të këtyre ngjarjeve, duke treguar për punën jo të mirë të forcave policore.
"Në Shkodër është rritur kriminaliteti me 11.9% dhe është ulur zbulueshmëria në 5%".
Në analizën e punës vjetore, drejtori Hamdi Fjora bëri një ndalesë te veçantë tek krimet kundër jetës ku permendi dokumentimin e njërës prej tyre, autori i së cilës pjesë e një grupi kriminal, i cili rezulton i përfshirë në disa ngjarje të renda.
"Duhet përmedur puna e mirë e sektorit të krimeve të rënda për dokumentimin e autorësisë së një vrasje në maj, autori i së cilës anëtar i një grupi kriminal, ekzekutor i disa vrasjeve kohët e fundit në Shkodër."
Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike ka qenë një tjetër sfidë e policisë Shkodër, pasi qarku futet në top listën e vendeve kultivuese.
Këtë e tregojnë edhe shifrat në rritje të rasteve të kultivimit.
"Janë evidentuar 89 vepra penale në fushën e narkotikëve ose 48 më shumë se një vit më parë."
Pasi u njoh me këto rezultate, drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal.
Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhëton parimet dhe kolegët, ishte mesazhi i drejtorit të Policisë për vartësit në Shkodër.

