Alfred Shehu iku në SPAK, KLP emëron në krye të akuzës së Sarandës prokurorin, Kledian Llaho

Pas largimit të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Alfred Shehu, i cili në fillim të këtij viti u bë pjesë e organikës së SPAK, në krye të akuzës së Sarandës, është emëruar prokurori, Kledian Llaho.

Vendimi për emërimin e Llahos në cilësinë e drejtuesit të akuzës së Sarandës, është marrë pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e cila me vota unanime urdhëroi që Llaho të lërë detyrën që ushtronte në Vlorë dhe të marë postin e drejtuesit në Sarandë.

Llaho ka disa vite që shërben në detyrën e prokurorit, ku pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka pasur në prokurorinë e Vlorës.

Fillimisht karriera e tij ka nisur si oficer në Durrës dhe më pas tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke çuar më tej në vendimmarrjen e ish-presidentit Bamir Topi, që vendosi ta dekretonte prokuror në Vlorë.

Gjatë punës në Vlorë, Llaho ka drejtuar një sërë dosjesh penale që lidhen me vrasjet në këtë qytet dhe abuzimet me pronat në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit.