Dash Sula e Saimir Korreshi dekorojnë qeverinë me medalje ari për rritjen e borxhit
Deputetët demokratë Dash Sula dhe Saimir Korreshi ja morën për një ditë kompetencat presidentit Meta.
Në Kuvend ata i dhanë medalje ari qeverisë për rritjen e borxhit publik.
Banderola u shpalos në afërsi të Foltores së Kuvendit.
Ministria e Financave raporton se borxhi publik i vendit vlerësohet të ketë arritur në 80.1% të PBB-së më 2021, duke shënuar një rekord gjatë periudhës së tranzicionit.
Borxhi në këto nivele u rrit pas emetimit të një Eurobondi me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar, raporton Ora Neës.
Të dhënat nga Kuadri Makro tregojnë se, borxhi publik në vlerë pritet të arrijë mbi 1.34 trilionë lekë me një shtesë 124 miliardë lekësh (1 miliardë euro) në raport me vitin pandemik 2020.
Borxhi i ri i formuar këtë vit është mbi 20% e të ardhurave buxhetore të pritshme gjatë vitit 2021.
Me herët gjatë vitit 2021, Banka Botërore lajmëroi se rritja e borxhit publik të vendit në rekorde historike do të ulë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021.
