Tregtia e jashtme/ Turqia renditet e dyta pas Italisë, për tregtinë me Shqipërinë

Turqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë sa i takon tregtisë së mallrave. Bazuar në raportin e fundit mbi tregtinë e jashtme sa i takon vitit që lamë pas, në vlerë monetare Turqia renditet e dyta pas Italisë.

Nga janari deri në nëntor 2021 vendi ynë ka importuar nga Turqia mallra me vlerë 76.4 milionë lekë me një rritje prej 24.8 milionë lekësh krahasuar me vitin 2020. të dhënat tregojnë se mallrat e importuara nga Turqia në vitin 2021 kanë kaluar edhe nivelin e para-pandemisë, kur kjo shifër ishte 61.7 milionë.

Nga ana tjetër vendi ynë i shiti shtetit turk në vitin e kaluar mallra me vlerë rreth 5 milionë lekë me një rritje prej 2.5 milionë lekësh që ishte në janar-nëntorin e 2020. Por pavarësisht shifrave në rritje diferenca mes dy shteteve në tregti është tepër e lartë pasi nga renditja Turqia është në vendin e 10-të për eksportet.

Referuar INSTAT nga Turqia janë importuar mbi 20 milionë lekë materiale ndërtimi dhe metale si dhe 17.4 milionë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet gati 10 milionë lekë dhe më pas vijnë makineritë dhe pjesët e këmbimit me vlerë 9.8 milionë lekë.

Produktet më të eksportuara janë materialet e ndërtimit dhe metalet, ndjekur mineralet dhe lëndët djegëse dhe produktet ushqimore.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, vlera e mallrave të eksportuara nga Turqia në vendin tonë në 5 vitet e fundit përllogaritet 14.4 milionë lekë, ndërsa importi i mallrave nga 2017 deri në nëntor 2021 është 301 milionë lekë.

Sa i përket ndërmarrjeve turke që operojnë në vendin tonë, numri i tyre është rritur vit pas viti. Nga të dhënat rezulton se deri në fund të vitit 2019 janë 385 ndërmarrje turke nga të cilat, 253 janë me pronarë turq dhe 132 me bashkëpronarë shqiptarë.

Tregtia e jashtme/ Turqia  renditet e dyta pas Italisë, për