Basha në Kuvend: Ku është Kryeministri? "Dy ditë më parë fluturoi me çarter privat. 120 mijë euro karburant" Shmang takimin me Berishën
Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon hetim parlamentar për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Nga foltorja e parlamentit Berisha i akuzoi ata për pastrim parash dhe për implikim në aferën e incineratorëve.
Në mungesë të kryeministrit Edi Rama dhe gjysmës së kabinetit qeveritar, peshën politike të foltores së Parlamentit paraditen e 27 janarit 2022 e mbajti opozita.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i kërkoi llogari mazhorancës për fluturimet e dyshimta të liderit të tyre.
Lulzim Basha: Si ka mundësi që në seancën e javës të ngarkuar me vendime të sjellë nga vetë qeveria, një javë të mbushur me skandale që do rrëzonin çdo qeveri normale këtu nuk ndodhet as 1/3 e kabinetit, ku është kryeministri? E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me çarter privat dhe nuk pati as deçencën të njoftonte shqiptarët për çfarë po i harxhonte ato 120-150 mijë euro karburant që kushton me çarterin privat. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do udhëtonte vetëm me bileta ekonomike tani niset për Paris, Mynih, shkon dhe vjen me një çarter luksoz ku vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi.
Kur vjen për tu përballur me shqiptarët, përfaqësuesit e shqiptarëve nuk e dimë ku është. Me siguri do vijë përgjigja misterioze është në takime të rëndësishme. Çfarë takimesh? Në cilin vend të Europës dhe Botës në 2022 mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfërinë më të thellë. Në cilin vend të botës kryeministri ka çarter privat, shkon drejt kryeqyteteve luksoze të Europës ndërkohë që qeveria e tij pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit siç ndodhi me lagjen "5 Maji", banorët e të cilës po protestojnë para Kuvendit, pjesa dërmuese e të cilëve janë në një gjendje lufte, sikur i ka bombarduar një armik. Por jo një armik i dukshëm me artileri, tanke dhe aviacion ushtrarak por armiku u padukshëm, por po kaq i tmerrshëm, i korrupsionit qeveritar.
Për pyetjet e ngritura ai nuk mori përgjigje, por e deleguara e qeverisë Elisa Spiropali për të replikuar me Bashën, ironizoi kryedemokratin me vulën, e cila është kthyer në një betejë të brendshme në PD.
"Duhet t'i kujtoj kryetarit me pullë, tek pullë që po mbetet tek pullë bën mirë të sqarojë pozicionin e tij brenda partisë pastaj të kërkojë nga ky Kuvend dhe ka kjo shumicë llogari," tha Spiropali.
Edhe këtë herë shefi i selisë blu, Lulzim Basha, zgjodhi të shmangte qëndrimin në një sallë me ish-kryeministrin, por i vetmi takim i tyre ndodhi jashtë traut të Parlamentit kur dy automjetet e tyre u shkëmbyen me njëra-tjetrën.
Sali Berisha pas 4 muajsh u rikthye në Kuvend, një lëvizje që e shpëton mandatin e tij të deputetit, edhe pse tashmë jo i Partisë së Bashës.
Para gazetarëve lideri historik i PD tregoi arsyen e mosprezencës së tij në sallën plenare.
"Kam munguar 4 muaj sepse isha në bisedë me mbarë demokratët e Shqipërisë," tha Berisha.
Edi Rama dhe Lulzim Basha, sipas Sali Berishës, nuk shqetësohen nga njëri-tjetri, pasi të dy po pasurohen në kurriz të qytetarëve.
Madje për të nxjerrë në pah këtë fakt, ish-kryeministri kërkoi hetim parlamentar.
"Një komision hetimor i domosdoshëm, kreun e Meduzës Edvin Kristaq Rama për larjen e 200 mln eurove në zonat offshore, por jo më pak Lul Brava i cili u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe ju mbyll hetimi," tha Berisha.
Pasi mbaroi fjalën në sallë, Berisha u largua duke u ankuar edhe për cilësinë e diskutimeve në foltore.
"Pas meje mori fjalën Taulant Luca, nuk rrihej," tha ai.
Parlamenti ka miratuar edhe ndryshimin e përbërjes se komisioneve parlamentare si dhe rikonfigurimin e grupit, çështje që edhe njëherë tjerë ka transportuar hallet e brendshme të familjes demokrate në diskutimet parlamentare.
