Acari mbërthen gjithë vendin. Akulli hall në fshatra, art në qytet

Edhe këtë të martë i gjithë vendi është i mbërthyer nga i ftohti. Në Dibër thuajse gjithçka ka ngrirë duke krijuar vështirësi për banorët sidomos ne fshatra. Në Pogradec ndërkohë, temperaturat nën zero kanë krijuar art.

Kjo e martë ishte një prej ditëve më të ftohta të vitit.

Në qarkun e Dibrës, termometri ka zbritur deri në 16 gradë nën zero.

Gjithçka ka ngrirë.

Këto pamje vijnë nga fshati Melan, rreth 4 km nga qyteti i Peshkopisë.

Vetëm 30 shtëpi nxjerrin tym si provë që aty ka banorë, pasi jashtë tyre është vështire ti gjesh.

"Asnjë ndërhyrje fare."

Të njohur me dimrin e ashpër, ata i kanë marrë masat me kohë.

Kanë siguruar ushqimet bazike për vete e bagëtinë.

"Kemi siguruar gjatë verës bazën ushqimore për bagëtinë."

Akset nacionale dhe rrugët deri në qendrat e njësive administrative kalohen me goma dimërore e zixhirë, por banorët e fshatrave të thella mbeten të izoluar mes borës.

Fatmirësisht deri më tani nuk ka pasur emergjenca shëndetësore.

Për shkak të temperaturave të ulëta, në Peshkopi ka probleme me furnizimim ne ujë, ndërsa akulli në rrugë krijon vështirësi në lëvizje edhe për këmbësore.

Të paktën 11 persona kanë pësuar fraktura pasi janë rrëzuar.

Edhe në veri e juglindje, zonat e thella po përballen me vështirësi në lëvizje dhe probleme me furnizimin me energji.

Por veç vështirësive, acari ka krijuar edhe këto pamje fantastike buzë liqenit të Pogradeci.