Mbi 300 mijë euro për ngrohjen por auditoret akull, studentët me xhupa. Te Bujqësori me ngrohëse nga shtëpia
Ndërsa shkollat fillore dhe ato të mesme janë mbyllur, studentët në universitete bëjnë mësim në të ftohtë me xhupa e dorashka. Qindra mijëra euro janë dhënë për infrastrukturën në auditore, por nuk kanë shkuar në destinacion.
Mbi 300 mijë euro shpenzuan universitetet për ngrohje por në këto ditë acari auditoret janë të ftohta.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës studentët thonë se bëjnë mësim me xhupa e dorashka pasi ngrohja mungon në disa salla.
"Ka salla që ka ngrohje, ka nga ato që nuk ka, është ftohtë."
"Jo të gjitha sallat kanë ngrohje."
Të rinjtë denocojnë në rrjetet sociale se në Universitetin Bujqësor të Tiranës janë detyruar të marrin ngrohëse nga shtëpia.
Të ftohta janë edhe auditoret e Universitetit të Mjekësisë. Studentët shkruajnë se zhvillojnë seminare me orë të gjata në temperatura të ulëta.
Ndërkohë situta e pandemisë dhe përhapja e shpejtë e Omicron ka shkaktuar mungesa të shumta në radhët e studentëve dhe pedagogëve.
Në disa raste zgjidhje është gjetur mësimi online.
"Ka raste që pedagogët janë sëmurë dhe kemi bërë mësim online."
Thonë se kanë ende mangësi nga viti i shkuar kur për shkak të pandemisë u detyruan ta zhvillojnë mësimin në distancë.
Edhe pse pandemia është në pikun e saj, në fakultete jo të gjithë tregojnë kujdes në respektimin e masave të rekomanduara nga ekspertët e shëndetit.

