Me 1 apo 2 kandidatë? Si do të shkojë PD në zgjedhjet e 6 marsit

Vendimi i Presidentit ilir Meta për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki ka sjellë një realitet të ri politik dhe për më tepër ka ndryshuar dinamikat brenda PD-së, e cila është në krizë prej muajsh.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë dalë në takime me bazën në tentativë për të mbajtur sa më shumë mbështetës rreth vetes, por nga ana tjetër po diskutojnë dhe po punojnë për kandidatët që do t'i përfaqësojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

Ajo që mbetet ende e paqartë është fakti në qoftë se edhe lëvizja e "Foltores" do të ketë kandidatët e saj dhe nëse po si do t'i regjistrojë ata për sa kohë KQZ njeh vetëm vulën e Lulzim Bashës.

Në disa bashki ka qarkulluar ideja e një përpjekje të zyrtarëve lokalë për të dalë me një kandidat e për të gjetur gjuhën e përbashkët mes mbështetësve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Por duket se këto tentativa do të jenë pa rezultat pasi Flamur Noka publikisht tha se nuk do të ketë asnjë negociatë me Lulzim Bashën.

Nga ana tjetër kryetari i PD-së ka intensifikuar takimet duke riaktivizuar negociatat me aleatët por edhe me zyrtarët e PD në bashkitë ku do të ketë zgjedhje. Kjo është një javë intensive takimesh dhe konsultimesh me qëllim evidentimin e kandidatëve.