Rama delegon Olta Xhaçkën në Shkodër për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka është e deleguara për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në bashkinë Shkodër nga kryeministri Edi Rama.

Ajo së bashku me drejtuesen politike të qarkut, ministren e shtetit për sipërmarrjen Edona Bilali do të jenë në krye të punës për betejën që socialistët do të kenë në këtë bashki, me qëllim fitoren e saj, pas plot 31 vitesh beteja ku kanë dështuar ta marrin këtë njësi vendore.

Mësohet se Xhaçka është takuar me socialistët shkodranë në një mbledhje me dyer të mbyllura në selinë rozë, ku ka dhënë porositë e para për këtë proces.

“E dimë që koha është e shkurtër dhe nuk na favorizon, por duhet të jemi në terren të gjithë për të dhënë maksimumin tonë. Të dalim derë me derë, kjo është fushata jonë, të prezantojmë vizionin tonë për drejtimin e bashkisë së Shkodrës. Duhet të shfrytëzojmë situatën që po kalon kundërshtari ynë politik dhe çdo gjë tjetër që është në favorin tonë për t’i fituar këto zgjedhje”, - mësohet të jetë shprehur ministrja Xhaçka përpara strukturës drejtuese të PS Shkodër.

Aktualisht kjo forcë politike nuk është në ditët e saj më të mira në Shkoder, pasi jo pak përplasje janë shënuar mes strukturave dhe drejtueses politike Bilali.

Emri i propozuar nga socialistët shkodranë në garën për bashkinë Shkodër është ai i prefektes Majlinda Angoni, e cila duhet të marrë bekimin e kryeministrit Rama për t’u zyrtarizuar si kandidate në këtë sigël politike.

Bashkia Shkoder u zhyt në krizë pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, pasi fituesi Valdrin Pjetri nuk bëri betimin për te marrë mandatin, për shkak të denoncimit të opozitës se ai kishte qenë i dënuar në Itali dhe e kishte fshehur një fakt të tillë.